ARKIVI SHTETËROR U PËRFAQËSUA NË KONVENTËN E 34-të TË ICARUS NË BUDAPEST
Së fundmi, në Budapest të Hungarisë, u mbajt Konventa e 34-të e ICARUS – Qendra Ndërkombëtare për Kërkime Arkivore. Në kuadër të kësaj konvente u zhvillua edhe aktiviteti përmbyllës i projektit „Creative Europe ATOM (Archives and Traces of Migration)”, në të cilin morën pjesë arkivistë, punonjës të kulturës dhe shkencëtarë që merren me temën e migrimeve – si në të kaluarën ashtu edhe në ditët e sotme. Qëllimi i projektit ishte të gjejë qasje të reja në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtimeve të njerëzve që kanë lënë vendlindjet e tyrepër arsye të ndryshme.
Në këtë konventë referoi edhe mr. Nikica Tasevska nga Arkivi Shtetëror, e cila prezantoi punimin me titull “Emigrimi nga rajoni i Prespës – Republika e Maqedonisë”. Tasevska u ndal te fondet e Arkivit Shtetëror që përmbajnë të dhëna për valët e shpërnguljes nga pjesa jugperëndimore e Maqedonisë, konkretisht nga Prespa, si dhe për migrimet e brendshme nga fshatrat drejt qyteteve. Dokumentet dëshmojnë për ndryshimet në përbërjen demografike dhe për transformimet në jetën ekonomike. Gjatë konventës treditore, prezantimet u mbajtën nga profesionistë të fushave të ndryshme, nga disa vende evropiane dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një tendencë në nivel evropian është lidhja sa më e ngushtë ndërmjet galerive, bibliotekave dhe arkivave për të nisur projekte të përbashkëta. Kërkimi mbi migrimet kërkon një qasje ndërinstitucionale mes institucioneve GLAM (galleries, libraries, archives, and museums), me qëllim të ruajtjes së kujtesës për migrimet, dokumentimit dhe sigurimit të qasjes në materialet që lidhen me këtë temë. Arkivistët kanë nevojë për edukim shtesë në drejtim të ruajtjes së gjurmëve të migrimeve.
