Më 21 maj 2025, një ekip nga Arkivi Shtetëror, i udhëhequr nga drejtoresha, prof. dr. Natasha Kotlar-Trajkova, mori pjesë në hapjen e ekspozitës së autorit, profesorit Katalin D. Konstandin, me titullin “Beyond Yesterday”. Profesori Konstandin është antropolog nga Universiteti i Bukureshtit.
Ekspozita është rezultat i misionit kërkimor të profesorit Konstandin nëpër fshatrat e Ballkanit, duke ndjekur gjurmët e kërkimeve të vëllezërve Manaki. Në ekspozitë u përfshinë edhe fotografi nga fondi “Vëllezërit Manaki”, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror – Njësia në Manastir.
Në aspektin konceptual, ekspozita është realizuar si një ndërthurje mes së kaluarës dhe së tashmes, duke trajtuar zhvillimin e disa prej fshatrave të fotografuar nga vëllezërit Manaki. Ekspozita paraqet një paralelizëm midis fotografive panoramike të realizuara para vitit 1905 (kryesisht në fshatra vllahe në Maqedoninë etnogjeografike, Epir dhe Shqipëri) dhe pamjes e zhvillimit të tyre sot. Gjatë hapjes së ekspozitës, profesori Konstandin prezantoi angazhimin dhe rolin e Arkivit Shtetëror në këtë projekt, ndërsa drejtoresha Kotlar-Trajkova, së bashku me arkivistët mr. Goce Stojanovski dhe Dimitar Gjorgjevski, theksuan kontributin e arkivave në këtë lloj bashkëpunimesh si dhe nevojën për t’i prezantuar ato për publikun e gjerë.
Gjatë vizitës në Bukuresht, ekipi i Arkivit Shtetëror realizoi disa takime me përfaqësues zyrtarë, përfshirë përfaqësues nga Arkivi pranë Muzeut të Fshatit dhe Instituti Kulturor i Rumanisë. Përfaqësuesit e Arkivit Shtetëror morën pjesë dhe u përfshinë gjithashtu në një ligjëratë për studentët e Universitetit të Bukureshtit me temën “Arkivi dhe trashëgimia fotografike e vëllezërve Manaki në kontekstin e proceseve shoqërore e kulturore në Ballkan para Luftërave Ballkanike”.
Vizita zyrtare në Rumani hapi perspektiva për bashkëpunim të ardhshëm, me synim prezantimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore në të ardhmen.


