Drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë, mr. Dimitar Bogeski, zhvilloi një takim pune me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Në takim u diskutua për rolin strategjik të Arkivit Shtetëror në procesin e transformimit digjital të sektorit publik, si dhe për pjesëmarrjen e tij aktive në realizimin e prioriteteve nga Agjenda e Reformave të Qeverisë së Maqedonisë.
Theks i veçantë iu kushtua përgatitjes së zgjidhjeve ligjore që do të mundësojnë arkivimin e dokumenteve elektronike, si dhe krijimit të një infrastrukture moderne për ruajtjen e sigurt të të dhënave dhe të një platforme kombëtare elektronike për menaxhimin e evidencave dhe punës arkivore. Këto aktivitete paraqesin një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të sigurt dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e punës administrative dhe arkivore në një mjedis digjital.
Drejtori Bogeski dhe ministri Andonovski konfirmuan gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në zbatimin e proceseve reformuese, me një qëllim të përbashkët – modernizimin dhe avancimin e Arkivit Shtetëror si një institucion bashkëkohor që siguron mbrojtjen afatgjatë, qasjen dhe menaxhimin e trashëgimisë arkivore në epokën digjitale.
