Në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë sot u mbajt një takim pune ndërmjet ministres së Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe drejtorit të Arkivit Shtetëror të Maqedonisë, mr. Dimitar Bogeski. Në takim morën pjesë edhe zëvendësdrejtoresha e Arkivit, Trendelina Deari, drejtori i Institutit të Historisë Kombëtare, prof. dr. Mitko Panov, shefi i Katedrës së Historisë në Fakultetin Filozofik, prof. dr. Dalibor Jovanovski, si dhe drejtoresha e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Milka Trinçevska. Gjatë takimit u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që veprojnë në fusha të afërta, me qëllim të përbashkët avancimin e zhvillimit të historiografisë, arkivistikës dhe praktikave bashkëkohore në arsim.
Të pranishmit diskutuan për forcimin e proceseve të digjitalizimit, të cilat janë thelbësore për ruajtjen afatgjatë të materialit arkivor dhe për mundësimin e qasjes më të lehtë në dokumente për studiuesit, studentët dhe publikun e gjerë. Drejtori Bogeski informoi se Arkivi Shtetëror tashmë është duke punuar në zhvillimin e një sistemi informativ për digjitalizimin, si dhe në sigurimin e mjeteve financiare për zbatimin e tij dhe përshtatjen me kushtet vendore.
Ministrja Janevska theksoi se Arkivi Shtetëror përfaqëson një institucion me rëndësi të veçantë për shtetin dhe se do të trajtohet me vëmendje dhe mbështetje të duhur. Ajo gjithashtu theksoi gatishmërinë e Ministrisë për të shqyrtuar propozimet për përfshirjen e materialeve autentike arkivore në tekstet shkollore, me qëllim që historia t’u afrohet nxënësve në një mënyrë më të kuptueshme, origjinale dhe motivuese.
Pjesëmarrësit në takim u ndalën edhe te sfida serioze që paraqet mungesa e studentëve në programet studimore të arkivistikës. U vlerësua se është e domosdoshme të krijohen forma të ndryshme stimulimi, si bursa dhe forma të tjera mbështetjeje, me qëllim që të motivohen të rinjtë të orientohen drejt këtyre profesioneve, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e kujtesës kombëtare. Gjithashtu u theksua rëndësia që puna e arkivistëve dhe historianëve të ardhshëm të vlerësohet në mënyrë të duhur, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia dhe cilësia në zhvillimin e këtyre fushave strategjike.
Takimi përfundoi me një dakordësi të përbashkët se bashkëpunimi i koordinuar institucional është thelbësor për modernizimin e arkivistikës dhe historiografisë, si dhe për lidhjen e tyre më të ngushtë me sistemin arsimor dhe me brezat e rinj.







