Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë u hap zyrtarisht ekspozita me titull “Misionarja e Bamirësisë – Kujtimet e Nënë Terezës në Arkivin Shtetëror”. Në hapjen e ekspozitës folën, drejtori i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, zëvendësdrejtori i Arkivit Shtetëror i RMV-së njëkohësisht edhe një nga autorët e ekspozitës, dr. Muzafer Bislimi dhe koordinatori i kësaj ekspozite, drejtori i Arkivit të Shqipërisë, dr. Ardit Bido. Ekspozita do të jetë e hapur nga data 17 deri më 24 nëntor 2022.
Kjo ekspozitë u hap zyrtarisht dhe u promovua më 5 shtator 2022, me rastin e 25-vjetorit të amshimit të shënjtores, Nënë Terezës. Ekspozita përbëhet nga 16 panele me më shumë se 100 foto dhe dokumente.


