Në historinë e popullit maqedonas për emancipim kombëtar, emri i Goce Dellçevit (4 shkurt 1872, Kukush – 4 maj 1903, fsh. Banicë) konsiderohet me të drejtë sinonim i luftës së popullit për liri. Disa nga publicistët që u angazhuan në hulumtimin e rolit të tij në historinë e re maqedonase, theksuan se ai me "gjak të tij i çimentoi themelet e luftës çlirimtare maqedonase". Ky kukushanas me idetë dhe vizionet e tij hyri në skenën historike pikërisht në kohën kur Maqedonia osmane po përgatitej të tregonte pjekurinë e saj kombëtare përballë Evropës, që kurora e atij procesi të ishte fitorja e një shteti të pavarur në të cilin të gjithë banorët do të gëzojnë të drejtat njerëzore dhe të drejtat sociale.
Në jetën e shkurtër, por të plotë të Dellçevit, ai e përmbushi detyrën ndaj popullit të tij si mësues iluminist, organizator i Organizatës Revolucionare Maqedonase, ndërsa duke lundruar nëpër qytetet maqedonase forcoi qëndresën dhe besimin e popullit për një të nesërme më të mirë. Goce Dellçev mbeti i kujtuar fuqishëm në kujtesën kolektive të brezave edhe sot e kësaj dite për shkak të urtësisë dhe veçorive të larta morale që zotëronte si person. Për këtë arsye ai u inkorporua në ideologjinë dhe strategjinë e ORM-së dhe mori përgjegjësinë për sigurimin e burimeve materiale dhe furnizimin e Organizatës me literaturë revolucionare.
„Të punoshë pa ndalur për ngritjen kulturore dhe çlirimin e popullit maqedonas” - kјо është nxitja që e bëri Goce Dellçevin të luftojë jetë a vdekje për qëllimet e tij të përjetshme. Në ditën e përkujtimit të përvjetorit të lindjes së tij imponohet mendimi se duhet të kuptojmë mesazhin e Dellçevit, i cili na motivon si komb të bashkimit dhe të besnikërisë ndaj shtetit, që u përftua me shumë vetëmohime.