
Si sot, më 20 mars të vitit 1554 prifti katolik shqiptar Gjon Buzuku filloi të shkruajë „Mesharin”, vepër e cila njihet si vepra e parë letrare e botuar në gjuhën shqipe. Meshari u zbulua rastësisht më 1740, nga Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova i cili ishte arqipeshkv i Shkupit dhe administrator apostolik i Mbretërisë së Serbisë. Meshari është tekst liturgjik që përmban Librin e orëve dhe Librin e Meshës, prandaj edhe quhet Meshar. Pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së vjetër dhe të re. Origjinali i librit ndodhet në biblotekën e Vatikanit me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194. Libri është i shkruar në gegërishten e shekullit XVI-të dhe synimi i autorit ka qenë edukimi i masës besimtare, duke zëvendësuar gjuhën e përgjithshme të liturgjisë romake me gjuhën e vendit. Pasthënia e librit dëshmon për një gjuhë të pasur e të kultivuar të popullit shqiptar në periudhën mesjetare. Ai është një dokument i rëndësishëm historik jo vetëm për përmbajtjen e tij fetare, por edhe për rëndësinë e tij gjuhësore dhe kulturore. Si monument i parë i literaturës shqiptare shërben për njohje më të thellë të gjuhës dhe historisë së saj, gjithashtu ndihmon në zhvillimin e mëtutjeshëm të kërkimeve gjuhësore në drejtime të ndryshme.