177 VJET NGA LINDJA E SHKRIMTARIT SHQIPTAR NAIM FRASHËRI

Naim Frasheri foto 10

Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit. Ka qenë humanist, poet i shquar, autor, publicist, përkthyes dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja, një ndër shkrimtarët dhe nismëtarët kryesorë të Rilindjes Kombëtare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku mësoi persishten e vjetër në teqenë bektashiane. Mbaroi gjimnazin grek „Zosimea” më 1865 në Janinë ku edhe u shpërngul me familjen. Ishte njohës i mirë i letërsisë, kulturës dhe filozofisë klasike greke e romake. Njihte idetë e iluminizmit françez dhe Revolucionit borgjez françez . Mësoi shumë gjuhë të huaja si turqishten, arabishten, persishten, greqishten, frengjishten.

Si nënpunës dhe intelektual i Perandorisë Osmane, me pozita të larta në administratën osmane, ai ishte i pari që e nxorri lejen për themelimin e Mësonjëtores së parë shqipe dhe të Gramatikës së Konstandin Kristoforidhit. Mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Është autor i gjithsej njëzetë e dy veprave: katër në gjuhën osmane, dy në persisht, dy në greqisht dhe pesëmbëdhjetë në gjuhën shqipe. Ishte përkthyesi i parë i Kur anit në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë me një frazeologji dhe fjalor shumë të pasur, të shkruar në gjuhën e pastër të popullit. Rëndësi të veçantë i kushtonte ndërgjegjes së njeriut, ngritjes morale dhe lumturisë shpirtërore. Shkrimet e tij afirmonin besimin dhe dashurinë për Zotin, dashurinë për atdheun, popullin dhe njerëzimin, punën dhe zhvillimin intelektual, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, paqen dhe miqësinë me shtetet e tjera. Respektonte dhe admironte cilësitë përparimtare dhe kulturën e popujve të tjerë. Gjithashtu ngriti lart cilësitë e shqiptarëve dhe traditat kombëtare; besën, trimërinë dhe bujarinë.

Naim Frashëri ndërroi jetë më 20 tetor 1900 në Stamboll në moshën 54 vjeçare, i pikëlluar nga malli për atdhe që nuk arriti ta shohë të lirë. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937.

Si mirënjohje për veprimtarinë e tij shumë shkolla dhe institucione në Shqipëri dhe jashtë saj mbajnë emrin e tij. Gjithashtu edhe shteti iranian e nderoi për kontributin e dhënë për gjuhën dhe letërsinë perse, duke krijuar edhe pulla postare me imazhin e tij.

Postimet e fundit