Gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të vjetra në Ballkan, por ajo filloi të shkruhej shumë vonë për shkaqe të ndryshme. Në shekullin XIX shkrimi në gjuhën shqipe mori përmasa shumë të mëdha, mirëpo shkruhej me shkronja të ndryshme të alfabetit latin, turk dhe grek. Pas hapjes së klubeve të shumta nacionale, shkolla, gazeta etj. u paraqit nevoja e unifikimit të alfabetit shqip. Angazhimet për krijimin e një alfabeti të gjuhës shqipe kishin filluar shumë më parë, por gjithmonë paraqiteshin pengesa të ndryshme. Ndihmë e madhe ishte edhe veprimtaria krijuese e gjuhëtarëve, shkrimtarëve, poetëve dhe veprimtarëve të shquar, vlen për tu veçuar edhe roli i organeve të shtypit e sidomos revistës „Albania” e Faik Konicës dhe miratimi i „Alfabetit të Stambollit” në vitin 1879, mirëpo me gjithë këto përpjekje përsëri nuk u zgjidh çështja përfundimisht. Iniciativën për thirrjen e Kongresit të Manastirit e filloi klubi „Bashkimi”, i cili ishte një ndër klubet më të dalluara nacionale në Perandorinë osmane. Kjo iniciativë u mirëprit dhe u përkrah nga shumë klube e shoqata shqiptare në vend dhe jashtë vendit. Pas përgatitjeve të mëdha paraprake, Kongresi i alfabetit filloi punimet me 14 nëntor të vitit 1908 në Manastir dhe zgjati deri me 22 nëntor, në kryesi të Mit’hat Frashërit. Në Kongres morrën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 klube e shoqata shqiptare nga vendi dhe jashtë, por njëkohësisht edhe 400 pjesëmarrës shqiptarë, maqedonas, turq, vllehë, grekë etj. Diskutimet e bëra në këto mbledhje, qenë përmbledhur në program nacional (Programi i Kongresit të Manastirit). Kongresi i alfabetit përfundoi punën e tij pas zgjidhjes së çështjes së alfabetit dhe sjelljes së disa vendimeve të rëndësishme që kishin të bëjnë me zhvillimin e arsimit dhe kulturës.
Pasi Kongresi i Manastirit vulosi alfabetin shqip ishte e domosdoshme që shqipja të ketë një normë drejtshkrimore të vetme. Kongresi i Drejtshkrimit është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tubim shkencor gjithëkombëtar. Filloi punimet prej 14 deri më 22 nëntor 1972, në Tiranë, i organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë. Morrën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshë nga Italia. Delegatët ishin përfaqësues të denjë dhe njohës së shkencës, arsimit dhe letërsisë shqiptare. Qëllimi i Kongresit të Drejtshkrimit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë të njësuar kombëtare.Edhe pse zhvillohej një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe shkencore, ky kongres ishte një vazhdimësi ose kurorëzim i gjithë punës së mëparshme dhe përpjekjeve të gjuhëtarëve dhe rilindasve për të pasur norma standarde të gjuhës letrare dhe drejtshkrimit ë shqipes. Kongresi i Manastirit dhe i Drejtshkrimit paraqesin një unitet kombëtar për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare, që dha një detyrë të rëndësishme në ngritjen e vetëdijes në kultivimin e shqipes, pasurimin dhe përpilimin e fjalorëve dhe mbrojtjen nga huazimet e panevojshme