Më 9 qershor 2026, drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, mr. Dimitar Bogeski, zhvilloi një takim pune me doc. dr. Vlatka Lemić, përgjegjëse për Arkivin e Universitetit të Zagrebit.
Përveç rolit të saj si udhëheqëse e Zyrës Qendrore për materialin arkivor të Universitetit, doc. dr. Lemić është edhe profesore në Katedrën e Arkivistikës në Zagreb, zëvendëspresidente e Qendrës Ndërkombëtare për Arkivistikë – ICARUS, presidente e ICARUS Kroaci, anëtare e Bordit Ekzekutiv të degës evropiane të Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (EURBICA), si dhe bashkëpunëtore aktive në disa projekte ndërkombëtare në fushën e kulturës, arkivistikës dhe trashëgimisë digjitale (Creative Europe, Erasmus+, Time Machine, DARIAH, AERI). Ajo është gjithashtu autore e një numri të madh punimesh profesionale dhe shkencore.
Gjatë takimit u diskutua mundësia e lokalizimit të materialeve arkivore që lidhen me Maqedoninë nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, si dhe përfshirja në projekte ndërkombëtare në fushën e arkivistikës dhe trashëgimisë digjitale, ku Arkivi Shtetëror mund të japë kontribut aktiv. Po ashtu u shqyrtua mbështetja në procesin e digjitalizimit dhe perspektivat për bashkëpunim bilateral me Universitetin e Zagrebit, përmes Katedrës së Arkivistikës dhe Zyrës Qendrore për Material Arkivor, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta.

