7 Marsi, ditë historike e shkollës së parë në gjuhën shqipe

Dita e sotme shënohet në kujtim të themelimit të shkollës së parë kombëtare që u hap më 7 mars në Korçë. Me vendim të Presidiumit të Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë (Nr. 113, datë 3 Mars 1960), 7 Marsi u shpall Dita e Mësuesit, një ditë me rëndësi politike dhe kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar. Shkolla e Korçës është shkolla e parë laike, kombëtare dhe më parë ka pasur shkolla me karakter fetar si ortodokse, katolike, myslimane etj. Funksiononin mbi 2500 shkolla publike shtetërore, private dhe fetare, në të cilat mësimi zhvillohej në latinisht, greqisht, turqisht, italisht, në gjuhë austro-hungareze etj. Duke qenë se mësimi i gjuhës shqipe bëhej në fshehtësi, lindi nevoja për të kërkuar leje për hapjen e shkollës. Pandeli Sotiri ishte i pari që kërkoi leje nga autoritetet e Perandorisë Osmane në Stamboll me ndihmën dhe mbështetjen e vëllezërve Naim dhe Sami Frashëri. Mësuesit e parë të asaj shkolle ishin Pandeli Sotiri, Thomë Sina, Thomë Avrami etj., ndërsa drejtues të shquar të saj ishin Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi e të tjerë. Edhe pse në kushte të vështira, shkolla e parë shqipe ishte model për shkollat e krijuara më vonë. Mësoheshin lëndët: gjuha shqipe dhe gramatika, histori shqiptare, gjeografi, aritmetikë, shkenca natyrore, edukatë muzikore e më vonë edhe lëndë të tjera. Studentë nga të gjitha shtresat shoqërore, fetare dhe nga treva të ndryshme shqiptare. Dita e Mësuesit festohet në shkolla dhe universitete, një ditë kushtuar punonjësve të arsimit, nxënësve dhe studentëve dhe nxit frymëzimin për brezat e ardhshëm për ngritjen e sistemit arsimor dhe vlerësimin e punës së shenjtë të mësuesve.

Postimet e fundit