Drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë, Dimitar Bogeski, në një intervistë për gazeten “Veçer” thotë se ky institucion në fondet e tij ruan dokumente origjinale jashtëzakonisht të vlefshme, të lidhura me jetën dhe veprimtarinë revolucionare të Goce Delçevit (Gjorgji Nikollov Delçev).

“Ndër to, një vend të veçantë zë edhe alfabeti i koduar që ai e përdorte gjatë komunikimit me çetat revolucionare. Ky dokument paraqet një dëshmi për mënyrën se si ishte organizuar komunikimi brenda lëvizjes revolucionare maqedonase, veçanërisht në aspektin e furnizimit me armë, lëvizjes nëpër vendbanime dhe koordinimit të aktiviteteve në terren. Përmes përdorimit të këtij alfabeti të koduar sigurohej fshehtësia e mesazheve, gjë që tregon nivelin e lartë të disiplinës organizative dhe të mendimit strategjik të organizatës revolucionare”, thekson Bogeski në deklaratën për gazetën “Veçer”.
Ai shton se, përveç alfabetit të koduar, Arkivi Shtetëror posedon edhe 43 letra origjinale të Goce Delçevit (Gjorgji Nikollov Delçev), të dërguara te bashkëpunëtorët e tij të afërt dhe veprimtarë revolucionarë, ndër të cilët edhe drejtuesit e pikave jashtë vendit: Nikolla Zografov, Nikolla Maleshovski, Marko Sekuliçki dhe të tjerë.

“Në këto letra përmbahen të dhëna të rëndësishme për veprimtarinë e lëvizjes, kanalet e transportit të armëve dhe literaturës, si dhe për koordinimin me përfaqësitë jashtë vendit. Këto dokumente janë sjellë në Maqedoni së bashku me eshtrat e Goce Delçevit dhe më pas i janë dorëzuar për ruajtje Arkivit Shtetëror nga ana e Organizatës së Ilindenit. Sot ato paraqesin një dëshmi të përhershme për një periudhë të rëndësishme të historisë sonë dhe për figurën e Goce Delçevit si ideolog, organizator dhe vizionar i veprës revolucionare maqedonase. Detyra jonë si Arkiv është që këto dokumente t’i ruajmë, t’i botojmë, t’i mbrojmë dhe t’i bëjmë të qasshme për komunitetin shkencor dhe brezat e ardhshëm, sepse ato janë pjesë e kujtesës historike të popullit tonë”, thekson Bogeski.

